Informacion mbi ligjin
Ligji “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”
Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Eliminimin e Dhunës në Familje
Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i cila ka hyrë në fuqi në 1 qershor 2007, ka për qëllim:
1. Parandalimin dhe reduktimin e dhunës në familje në të gjitha format e saj, me anë të masave të përshtatshme ligjore.
2. Garantimin e mbrojtjes me masa ligjore të pjesëtarëve të familjes, të cilët janë viktima të dhunës në familje, duke i kushtuar vëmendje të veçantë fëmijëve, të moshuarve dhe personave me aftësi të kufizuar.
Pyetje-Përgjigje rreth Ligjit
Pyetje: Çfarë mbrojtje ofron ligji për personat që dhunohen në marrëdhëniet familjare?
Përgjigje: Ligji parashikon mbrojtjen e anëtarëve të familjes përmes marrjes së masave urgjente. Këto masa merren nga gjykata e cila nxjerr urdhrat e mbrojtjes:
- “Urdhrin e menjëhershëm i mbrojtjes”, i cili lëshohet përkohësisht nga gjykata brenda 48 orëve dhe është i vlefshëm deri në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.
- “Urdhrin e mbrojtjes”, i cili lëshohet me vendim gjykate e ku parashikohen masa mbrojtëse për viktimën. Gjykata vendos shqyrtimin e tij në një afat prej 15 ditësh.
Përmes urdhrave të mbrojtjes, gjykata urdhëron të paditurin/ën (dhunuesin/en) që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje; që të mos cënojë, ngacmojë, kontaktojë apo të komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi me viktimën apo pjesëtarë të familjes së viktimës; Gjykata mund të largojë menjëherë të paditurin/ën (dhunuesin/en) nga banesa për një afat kohor të caktuar dhe të mos e lejojë të rihyjë në banesë pa autorizimin e saj, etj..
Pyetje: Cilët janë anëtarët e familjes që mbrohen nga ligji “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”?
Përgjigje: Ligji mbron të gjithë ata që dhunohen në marrëdhëniet familjare, pavarësisht nga gjinia e tyre. Pra, edhe pse gjithkush mund të mendojë se ai mbron në mënyrë të veçantë gratë meqenëse ajo është subjekti më i dhunuar brenda familjes, ligji vetë nuk parashikon diferencime të tilla, duke përmbushur kështu, një nga standardet më të arrira të barazisë gjinore.
Pjesëtarët e familjes sipas këtij ligji janë:
a) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja apo ish-bashkëshorti/ja apo ish-partneri/ja bashkëjetues;
b) vëllezërit, motrat, gjinia në vijë të drejtë, përfshirë prindërit adoptues dhe fëmijët e adoptuar;
c) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja i personave të parashikuar në shkronjën “b”;
ç) gjinia në vijë të drejtë, përfshirë edhe prindërit, edhe fëmijët e adoptuar të bashkëshortit/es ose bashkëjetuesit/es;
d) vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit/es nëse kanë bashkëjetuar gjatë tre muajve të fundit;
dh) fëmijët e bashkëshortëve apo partnerëve bashkëjetues.
Rasti nr. 1
Unë kam zgjidhur martesën para disa muajve dhe vazhdoj të ndaj të njëjtën shtëpi me ish-bashkëshortin tim. Pas zgjidhjes së martesës ai është bërë edhe më i dhunshëm se më parë duke më kërcënuar herë pas here se do të më vrasë mua dhe prindërit e mi. A më mbron ligji në këtë rast? A mund të bëj një kërkesë për urdhër mbrojtje edhe për prindërit e mi?
Përgjigje: Në këtë rast ju dhunoheni nga ish-bashkëshorti juaj dhe ligji ju ofron mbrojtje. Në të njëjtën kërkesë për urdhër mbrojtje për veten tuaj, ju mund të kërkoni edhe mbrojtjen e prindërve. Megjithatë, ata mund të mbrohen edhe duke paraqitur një kërkesë të veçantë drejtuar Gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose të urdhrit të mbrojtjes.
Rasti nr. 2
Bashkëshorti im më fyen, nuk më vlerëson, nuk më merr mendim për çështje të rëndësishme në familje që lidhen p.sh. me fëmijët. Unë shpesh ndihem keq dhe qaj krejt e vetmuar. A nuk është kjo dhunë? A më ofron mbrojtje ky ligj?
Përgjigje: Po! Me dhunë ne kuptojmë çdo veprim apo mosveprim të një personi ndaj një personi tjetër, që sjell si pasojë cënim jo vetëm të integritetit fizik por edhe atij moral, psikologjik, seksual, social dhe ekonomik që ushtrohet midis personave që janë apo kanë qenë në marrëdhënie familjare. Ligji nr.9669, ju ofron mbrojtje në një rast të tillë dhe ju mund të përdorni mjetet ligjore që ai parashikon duke kërkuar lëshimin nga gjykata përkatëse të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrit të mbrojtjes dhe përfshirjen në të masave specifike për mbrojtjen nga forma psikologjike e dhunës.
Pyetje: Ku mund të drejtohet viktima e dhunës në marrëdhënie familjare dhe ku mund të paraqesë kërkesë për mbrojtje?
Përgjigje: Në rast të dhunës në familje, viktima mund t’i drejtohet me anë të një kërkese:
Ø Postës së policisë më të afërt (të zonës ku banon ose ndodhet);
Ø Njësisë përkatëse vendore (komunë, bashki);
Ø Qendrës shëndetësore të zonës ku banon apo ndodhet;
Ø Gjykatës së rrethit të vendbanimit, vendndodhjes së saj ose të dhunuesit/es, me kërkesë padi, për të marrë masat e nevojshme.
Pyetje: Kush mund të paraqesë kërkesën për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje?
Përgjigje: Kërkesë për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje mund të paraqesin cilido nga të mëposhtmit: vetë viktima, përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës, policia/prokuroria, personi me të cilin viktima ka marrëdhënie familjare, përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose komunës ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje.
Pyetje: Çfarë mbrojtje më ofron policia, a e garanton ajo sigurinë time?
Përgjigje: Organet e policisë pasi marrin denoncimin tuaj, regjistrojnë konstatimet në një raport të shkruar, dhe ju viheni në dijeni nga policia për numrin përkatës të rastit të raportuar. Ky numër do t’ju shërbejë për të provuar para gjykatës së Rrethit Gjyqësor përkatës, se jeni dhunuar dhe në këto kushte jeni paraqitur për mbrojtje në komisariatin më të afërt të policisë. Policia ka detyrimin t’i lëshojë kërkuesit ose gjykatës, kopje të dokumenteve shkresore, të çertifikuara me vulë. Policia mund të paraqesë kërkesën për urdhër mbrojtjeje dhe urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, si dhe të marrë pjesë në gjykimin e tyre. Nëse jeni në rrezik për jetën tuaj, ju mund të shoqëroheni nga një polic gjatë kohës që kërkesa juaj për urdhër mbrojtjeje është duke u shqyrtuar nga gjykata përkatëse.


