Për Ju


PËR NDIHMË KONTAKTO
(04) 22 33 408





Konferenca Kombëtare, 8 dhjetor 2009

Rrjeti kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit, në bashkëpunim me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri dhe me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (UNTF), organizuan në 8 dhjetor 2009 në Tiranë konferencën me temë: “Ta bëjmë realitet: Strategji të suksesshme për zbatimin e Ligjit kundër Dhunës në Familje në Shqipëri”.

Si një forum për të shkëmbyer përvojat më të efektshme në luftën kundër dhunës në familje dhe për të nxitur adoptimin e gjerë të tyre si dhe marrjen e masave të tjera të nevojshme me angazhimin e të gjithë aktorëve si nga qeverisja qendrore e lokale dhe shoqëria civile në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, Konferenca ishtë dhe aktiviteti përmbyllës i projektit “Ta bëjmë realitet: Zbatimi i Ligjit kundër Dhunës në Familje në Shqipëri”. Ajo u organizua në tre sesione për prezantimin e arritjeve të realizuara në ngritjen e mekanizmit të referimit dhe sistemit të monitorimit të të dhënave në pesë rrethet pilot: Shkodër, Rrëshen, Berat, Pogradec dhe Vlorë; diskutimin mbi nisma të qeverisë lokale për zbatimin e Ligjit “Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare” me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të qeverisjes lokale; dhe shkëmbimin e mendimeve për hedhjen e hapave të suksesshëm në të ardhmen përmes koordinimit të mëtejshëm, bazuar në arritjet e deritanishme, duke përfshirë këtu Platformën për ndërtimin e Reagimit të Koordinuar të Komunitetit kundër Dhunës në Familje të mbështetur nga PNUDI dhe të ndërtuar edhe në bazë të shembullit të Këshillave kundër Dhunës në Familje të pilotuara nga ky projekt, si edhe përvojën e linjës kombëtare të telefonit për fëmijët në Shqipëri (116), si strategji e suksesshme drejt mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna.

Konferenca “Ta bëjmë realitet: Strategji të suksesshme për zbatimin e Ligjit kundër Dhunës në Familje në Shqipëri” u përfshi në veprimtaritë që u zhvilluan në vendin tonë në solidaritet me fushatën e përvitshme mbarëbotërore të “16 ditëve të aktivizmit 2009″.