Baza e të dhënave
Prezantim i sistemit

Projekti “Ta bëjmë realitet” ka realizuar me mjaft sukses ndërtimin e një sistemi kompleks database (baze të dhënash) për monitorimin e rasteve të dhunës në familje në pesë rrethet pilot ku ai zbatohet.
Ideja lindi së bashku me ideimin e projektit, si një mënyrë për të adresuar dhe mungesën e statistikave në drejtim të rasteve të dhunës në familje. Por me fillimin e punës ne terren dhe sidomos me konturimin e plotë të Këshillave Kundër Dhunës në Familje (KDHF), u pa e nevojshme që ky sistem të konceptohej jo vetëm si inventar i rasteve të dhunës në familje, por në radhë të parë si bazë të dhënash për mënyrën e trajtimit të tyre nga institucionet kompetente.
Projekti i parë i sistemit u përgatit nga ekspertja Elvana Gadeshi. Ai u perfeksionua në bazë të konsultimeve të ngushta me Komitetin Drejtues të projektit dhe me eksperte të çështjeve të dhunës në familje, si: V.Mecaj, I Luarasi, M.Kocaqi, E.Haxhiymeri, M.Arqimandriti, A.Haxhiu, me anëtaret e pesë KDHF-ve, zyrën e UNIFEM-it në Tiranë si dhe me ekspertë të tjerë të huaj, si p.sh. znj. Trisha Gentle, konsulente nga Sh.B.A, e ardhur në Shqipëri në kuadrin e një projekti të UNDP-së pikërisht për ndërtimin një platforme për reagimin e koordinuar te komunitetit kundër dhunës në familje.
I ndërtuar duke pasur parasysh dhe indikatorët e përpunuar në bashkëpunim me zyrën e UNIFEM-it në Tiranë për monitorimin e impaktit të veprimtarive kundër dhunës në familje në Shqipëri, sistemi ofron dhe mundësinë për raportimin të vazhdueshëm mbi ecurinë e plotësimit të këtyre indikatorëve në bazë të të dhënave të plotësuara rregullisht. Ai është vlerësuar nga UNIFEM si një praktikë e suksesshme që vlen të replikohet më gjerë në Shqipëri dhe në vende të tjera.


