Për Ju


PËR NDIHMË KONTAKTO
(04) 22 33 408





Dokumenta ndërkombëtare

Kuadri Kombëtar i Llogaridhënies
për t’i Dhënë Fund Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave:
Listë kontrolli me 10 pika

Dhuna ndaj grave dhe vajzave është një prej shkeljeve të të drejtave të njeriut më të përhapura në botë. Ajo i ka rrënjët thellë në diskriminimin dhe pabarazinë gjinore. Asnjë grua apo vajzë nuk është plotësisht jashtë këtij rreziku dhe asnjë vend nuk mbetet i paprekur nga ndikimi i saj.

Në vitin 2008, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara prezantoi Fushatën “Bashkë për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave” për t’u përballur vendosmërisht me pandeminë. Është përgjegjësia e qeverive të sigurohen se gratë dhe vajzat kanë mundësi t’i drejtohen organeve të drejtësisë, që dhunuesit të mos veprojnë me sigurinë se nuk ndëshkohen dhe që të merren të gjitha masat e mundshme për të parandaluar dhe reaguar ndaj dhunës ndaj grave, në përputhje me standardin “kujdesi i duhur” siç kërkohet nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eleminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave dhe Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara për Dhunën ndaj Grave, Shkaqet dhe Pasojat.

Megjithë përpjekjet globale për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, sistemet e zbatimit dhe llogaridhënies mbeten embrionalë dhe të shkëputur. Më poshtë janë dhjetë elementë kyçë të një kuadri kombëtar llogaridhënieje.

1. A trajtohen format e ndryshme të dhunës ndaj grave dhe vajzave?
Dhuna ndaj grave dhe vajzave ndodh si në hapësira private, ashtu edhe në ato publike. Ajo merr forma mjaft të ndryshme që nga dhunimi në familje deri tek përdhunimi, tortura psikologjike, trafikimi, shfrytëzimi seksual dhe praktikat e dëmshme, ndër të tjera. Aktet e dhunës ndodhin në mjedise të ndryshme (në shtëpi, rrugë, shkollë, punë, situata konflikti) dhe prekin grupe nga më të ndryshmet (ku përfshihen ato rurale/urbane, të pasurit/të varfërit, të rinjtë/të rriturit, emigrantët, të shpërngulurit, indigjenët, me aftësi të kufizuara dhe gra me HIV). Një reagim efikas kërkon që ligjet, rregullat, shërbimet dhe mbledhja e të dhënave të dallojnë dhe të prekin shfaqjet e ndryshme të dhunës dhe të hartojnë strategjitë e duhura në bazë të konteksteve specifike në të cilat ato ndodhin.

2. A ka sisteme të mbledhjes, analizës dhe shpërndarjes së të dhënave?
Hartimi i politikave, programeve dhe reagimeve praktike varet nga të dhënat e besueshme. Kjo përfshin informacion për përhapjen, shkaqet, të mbijetuarit dhe personat që ushtrojnë dhunë ndaj grave dhe vajzave; ndikimin e ndërhyrjeve dhe rezultatet e sektorit publik në termat e, të themi, mundësive për t’iu drejtuar shërbimit shëndetësor dhe reagimeve të policisë dhe gjyqësorit; qëndrimet, sjelljet dhe përvojat e burrave, grave dhe të rinjve nga grupe të ndryshme të popullsisë dhe si e perceptojnë ata këtë çështje në shoqërinë e tyre; si dhe kostot sociale dhe ekonomike të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Këto të dhëna janë thelbësore për të matur progresin e nismave kundër dhunës, për të hartuar strategji efikase dhe për të caktuar buxhete.

3. A pasqyrojnë politikat dhe programet një qasje gjithëpërfshirëse e shumë-sektoriale?
Trajtimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave kërkon një reagim shumë-dimensional ku përfshihen organizmat qeveritare, organizatat jo-fitimprurëse dhe subjekte të tjera nga sektorë dhe disiplina të ndryshme. Përveç institucioneve që janë përfshirë që në fillim në këto përpjekje (si psh. shëndetësia, siguria publike, organizmat ligjore, ministritë që trajtojnë çështjet e grave), duhet të përfshihen edhe faktorë të tjerë kyçë - si psh. institucionet arsimore, punëdhënësit, sindikatat, media, ministria e financave dhe sektori privat në kuadër të përgjegjësisë sociale. Ndërhyrjet duhet të përbëhen si nga sistemet e shërbimit dhe të referimit për të mbijetuarit/viktimat e dhunës, ashtu edhe nga përpjekjet më të gjera të parandalimit që përqendrohen në mobilizimin e shoqërisë dhe komunitetit për “tolerancën zero” dhe barazinë gjinore. Mbështetje e gjithanshme do të thotë të trajtosh shumëllojshmërinë e nevojave dhe të drejtave të grave dhe vajzave, që përfshin sigurinë, shërbimet shëndetësore, ligjore dhe gjyqësore dhe sigurinë ekonomike për veten, fëmijët apo personat e tjerë në varësi.

4. A ekzistojnë dhe mund të përdoren “Shërbimet e Vijës së Parë” në rast urgjence?
Të mbijetuarit e dhunës gjinore kanë nevojë për mbështetje të “vijës së parë” nga policia si dhe organizmat shëndetësore dhe ligjore. Ndërkohë që krijohen mundësitë e ndihmës në shkallë më të gjerë dhe më afatgjatë, të gjitha shtetet duhet të sigurojnë standardet minimale për të përmbushur nevojat urgjente. Në varësi nga konteksti kombëtar, ato duhet të përfshijnë: ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes së duhur për të mbijetuarit/viktimat; mundësinë universale për të përdorur të paktën një linjë telefonike 24-orëshe pa pagesë për të raportuar abuzimin dhe situata të tjera me rrezik për jetën ku gjenden edhe këshillues të trainuar që mund t’i referojnë telefonuesit tek shërbimet përkatëse; një strehëz për çdo 10 mijë banorë që ofron strehim të sigurt në rast urgjence, këshillim të kualifikuar dhe ndihmë tjetër të nevojshme; një qendër avokatie dhe këshillimi për çdo 50 mijë gra që t’u ofrojë ndihmë të mbijetuarve/viktimave; një qendër për rastet e përdhunimeve për çdo 200 mijë gra; dhe mundësi për të marrë trajtim shëndetësor cilësor pas përdhunimit (që përfshin testin e shtatëzanisë, kontraceptivët e urgjencës, profilaksinë pas-faktit për të parandaluar HIV-in dhe trajtim për infeksionet që transmetohen seksualisht, trajtim për lëndimet dhe këshillim psiko-social). Këto shërbime nuk duhet të kushtëzohen nga dhuna që i mbijetuari/viktima raporton në polici dhe duhet të ndiqen nga një mbështetje afatgjatë shëndetësore, ligjore, psiko-sociale, arsimore dhe ekonomike.

5. A është legjislacioni kombëtar i përshtatshëm dhe në përputhje me standardet e të drejtave të njeriut?

Ligjet dhe zbatimi i tyre janë thelbësore për t’i dhënë fund mungesës së ndëshkimit. Ato përcaktojnë kufijtë për normat dhe sjelljet publike. Ato garantojnë të drejtat që duhet të gëzojnë të gjithë njerëzit dhe përcaktojnë përgjegjësitë dhe detyrimet e personave të caktuar për mbrojtjen e tyre. Ligjet për të ndalur dhunën duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të ndihmojnë për të parandaluar, reaguar dhe ndëshkuar të gjitha format e dhunës kundër grave dhe vajzave. Të drejtat e grave dhe vajzave duhet të konsiderohen si shqetësimi madhor i të gjitha ligjeve, politikave dhe programeve - duke përfshirë të drejtat e tyre për siguri personale, intimitet dhe fshehtësi, vendimmarrje të informuar dhe autonome, shërbime shëndetësore dhe sociale dhe për drejtësi. Kjo nënkupton gjithashtu dispozita ligjore që parashikojnë të drejta që mund të përcaktojnë nëse një grua ka mundësinë për t’u larguar nga një situatë abuzive, më konkretisht, të drejtat e gruas për ndihmë dhe kujdestarinë e fëmijës; të drejtat ekonomike, të pronës, të tokës dhe trashëgimisë; si dhe shtetësi dhe status emigranti. Pavarësisht nëse mbizotërojnë sistemet formale apo zakonore të drejtësisë, ato duhet të mbështesin të drejtat e grave dhe vajzave. Ligjet dhe zbatimi i tyre duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe rajonale të të drejtave të njeriut, siç parashikohet në konventa, marrëveshje apo mekanizma të ndryshëm.

6. A përcaktojnë përgjegjësi dhe standarde dekretet, rregulloret dhe protokollet?
Duhet të përcaktohen standarde të qarta për zbatimin dhe monitorimin e ligjeve, politikave dhe programeve nëpërmjet instrumentave dhe procedurave të ndryshme që i përforcojnë dhe i institucionalizojnë ato. Dekretet e presidentit apo vendimet e këshillit të ministrave, për shembull, mund të nxisin zbatimin duke i caktuar role dhe përgjegjësi specifike ministrive të veçanta. Protokollet, si brenda sektorit ashtu edhe ato ndërsektoriale, mund të ofrojnë udhëzime të rëndësishme për punonjësit dhe të caktojnë standarde pune e funksionimi. Këto standarde gjithashtu mund të shërbejnë si tregues për të matur progresin apo përgjegjësitë, si dhe për të përfshirë përmirësime. Protokollet dhe procedurat duhet të jenë në përputhje me të drejtat e rekomanduara dhe të miratuara në arenën ndërkombëtare si dhe me standardet e ofrimit të shërbimeve.

7. A ka një Plan Kombëtar Veprimi dhe politika të hartuara dhe në zbatim?
Planet Kombëtare të Veprimit që i kushtohen trajtimit të dhunës ndaj grave dhe vajzave mund të jenë instrumente të vlefshme për të përcaktuar burimet institucionale, teknike dhe financiare të nevojshme për reagimet e bashkërenduara e ndër-sektoriale. Ato mund të parashtrojnë mekanizmat e llogaridhënies dhe mund të qartësojnë përgjegjësitë institucionale. Ato mund të shërbejnë gjithashtu për të monitoruar progresin drejt objektivave specifike. Ministritë të cilave u është ngarkuar bashkërendimi (shpesh mekanizmat e grave) kanë nevojë për mbështetje politike në nivelet më të larta të qeverisë, si dhe për mbështetjen e nevojshme institucionale dhe financiare për të përmbushur këtë detyrë komplekse. Garantimi që veprimet për të trajtuar dhunën ndaj grave dhe vajzave integrohen në politika të tjera kryesore dhe kuadre financimi mund të ofrojë gjithashtu rrugët strategjike për forcimin e përpjekjeve dhe sigurimin e buxheteve. Shembuj të tyre përfshijnë strategjitë dhe planet kombëtare për reduktimin e varfërisë dhe zhvillimin, si dhe reforma sektoriale në lidhje me arsimin, shëndetësinë, drejtësinë, HIV/SIDA-n dhe vendosjen e paqes dhe rikonstruktimin në situatat pas konflikteve.

8. A ofrohen rregullisht burime të mjaftueshme për të zbatuar ligje dhe programe?
Shumë shpesh politikat dhe ligjet miratohen pa pasur fonde për zbatimin e tyre. Duhet bërë një vlerësim i buxhetit për t’u siguruar se ato plotësojnë nevojat e popullsisë, i shërbejnë si duhet zonave gjeografike të varfra dhe garantojnë barazi, si dhe sjellin përfitime për gratë dhe vajzat për të cilat hartohen. Konsideratat financiare duhet të bazohen tek kostot dhe duhet të përfshijnë aspekte në dukje periferike, por që në të vërtetë janë thelbësore si psh. ndihmë mjekësore dhe ligjore falas apo transport në mënyrë që gratë dhe vajzat të mund të përdorin shërbime të tjera ligjore, si dhe ndihmë për ri-integrimin e tyre social-ekonomik. Ndihma financiare për të mbijetuarit/viktimat mund të sigurohet nëpërmjet skemave novatore, si psh. fonde të administruara në mirëbesim në të cilat mund të derdhin kontributet si shteti ashtu edhe aktorë të tjerë (individë, organizata apo donatorë privatë). Burimet janë të nevojshme për të garantuar zhvillimin e aftësive të sektorëve dhe profesionistëve të ndryshëm që kanë përgjegjësi për të zbatuar ligjet dhe programet. Duhen caktuar fonde publike të mjaftueshme për organizatat jo-fitimprurëse dhe grupet e grave, si dhe shërbimeve për të mbijetuarit/viktimat për punën dhe kontributet e tyre.

9. A përqendrohen përpjekjet tek fuqizimi i grave dhe mobilizimi i komunitetit?
Shumë shpeh ka një tendencë për të “ofruar” politika dhe shërbime pa e përfshirë publikun nëpërmjet qasjeve fuqizuese që i mundësojnë njerëzit të “kërkojnë” dhe t’i përdorin këto shërbime si dhe të kërkojnë llogari. Ndryshimet e vërteta dhe që zgjasin për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave duhet të përqendrohen në nivelin lokal dhe të komunitetit, ku ndodhin aktet e abuzimit dhe ku, shumë shpesh, ato tolerohen. Strategjitë duhet të fuqizojnë gratë dhe vajzat për të kërkuar të drejtat e tyre për drejtësi, mbrojtje dhe ndihmë; duhet t’u japin njohuri për të drejtat e tyre dhe detyrimet e qeverisë; si dhe duhet të sigurojnë bashkëpunimin me qendrat e grave dhe grupet avokatore, si dhe organizatat e të rinjve, burrave apo të tjera që i kushtohen barazisë gjinore. Arsimi publik në masë dhe fushatat e ndërgjegjësimit për këto çështje, edhe nëpërmjet mediave lokale dhe kombëtare, janë elementë të rëndësishëm. Mobilizimi i komunitetit për barazinë gjinore dhe jo-dhunën është thelbësor për të ndërprerë dhunën ndaj grave dhe vajzave, veçanërisht ndërmjet burrave, të rinjve dhe grupeve të tjera strategjike.

10. A janë funksionalë dhe pjesëmarrës sistemet e monitorimit dhe llogaridhënies?
Vlerësimet periodike dhe pjesëmarrëse që kryhen nga qeveria në nivel kombëtar dhe lokal, në partneritet me organizatat e grave apo të tjera të shoqërisë civile, shërbejnë për të garantuar që politikat dhe programet funksionojnë siç ishte përcaktuar dhe theksojnë mundësitë për përmirësim. Këto vlerësime mund të përfshijnë raporte vjetore progresi për parlamentin nga ministritë e linjës, krijimin e observatorëve kombëtarë dhe lokalë, mekanizmat e pavarur të mbikëqyrjes si Avokati i Popullit, bashkëpunimin me median për të shpërndarë informacion për përparimet dhe mangësitë, si dhe vlerësimet periodike të zbatimit të ligjeve dhe programeve. Politikat dhe programet kundër dhunës duhet të kenë objektiva dhe afate të qarta në mënyrë që të matet dhe të vlerësohet efektshmëria e tyre. Përpjekjet kombëtare për monitorim duhet të lidhen gjithashtu me detyrimet periodike për raportim të shtetit palë ndaj Komitetit të CEDAW dhe organizmave të tjera ndërkombëtare.