Për Ju


PËR NDIHMË KONTAKTO
(04) 22 33 408





Bashkohuni me Ne

Dhuna ndaj grave nuk është kurrë e pranueshme, kurrë e shfajsueshme, kurrë e tolerueshme” - Ban Ki-Moon, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, 25 shkurt 2008

Dhuna në familje është një problem i cili nuk duhet të qëndrojë pas “dyerve të mbyllura”, pasi ajo na prek të gjithëve dhe duhet trajtuar si një problem i mbarë shoqërisë.

Dhuna, sa larg mund të duket, aq afër është realisht. Sa më shumë të mundohesh ta mohosh, aq më e pranishme bëhet, sa më shumë të heshtësh, aq më shumë të mposht, sa më shumë të durosh, aq më shumë të shkatërron….

Më 25 nëntor deri në 10 dhjetor, çdo vit zhvillohet në mbarë botën fushata e 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave. Fjongoja vjollcë është simboli i përpjekjeve të përbashkëta për t’i thënë: Ndal dhunës ndaj grave. Këtë vit motoja e fushatës është:

Angazhohu Vepro Kërko: Ne MUND ta ndalojmë Dhunën ndaj Grave!

Ju inkurajojmë ta vini këtë fjongo në shenjë solidariteti.

NJË GJEST SIMBOLIK SOT, NJË REALITET NDRYSHE NESËR!

Deklaratë nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, 25.11.09

Deklaratë nga Drejtorja Ekzekutive e UNIFEM-it, 20.11.09

Ç’janë 16 Ditët e Aktivizimit

Fushata e 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës ndaj Grave është një traditë që nisi në vitin 1991 nga Instituti i parë i Lidershipit Global të Grave. Ajo fillon në 25 Nëntor, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në 10 Dhjetor që është edhe Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, duke lidhur simbolikisht këto dy ditë në përforcim të mesazhit se dhuna ndaj grave është shkelje e të drejtave të njeriut.

Fushata e 16 Ditëve organizohet në mbarë botën nga aktivistë të të drejtave të njeriut për të bërë thirrje për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave nëpërmjet:

Qasja ndaj dhunës mbi gratë e vajzat si shkelje e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut është një komponent kyç i 16 Ditëve të Aktivizmit. Aktivistët kanë përdorur paradigmën e të drejtave të njeriut për të ndryshuar kuptimin e dhunës ndaj grave në të gjithë botën duke përcaktuar se në mbrojtjen, promovimin dhe përmbushjen e të drejtave të tyre, për gratë nuk mund të ketë trajtim ndryshe nga gjysma tjetër e njerëzimit. Ata nënvizojnë se dhuna me bazë gjinore cënon parimet bazë që karakterizojnë të drejtat e njeriut, d.m.th.:

  1. Dinjitetin: Bërthama e të drejtave të njeriut është mbrojtja dhe promovimi i dinjitetit njerëzor, të cilin dhuna ndaj grave e godet në mënyrë të drejtpërdrejtë.
  2. Universalitetin: Natyra universale e të drejtave njerëzore nuk do të thotë se ato përjetohen në të njëjtën mënyrë tek të gjithë njerëzit, por ajo nënkupton që qeveritë dhe komunitetet duhet të mbështesin disa vlera morale dhe etike në të gjitha vendet e botës, që janë kategorikisht të kundërta me dhunën me bazë gjinore.
  3. Barazinë dhe mosdiskriminimin: Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut (UDHR) dhe dokumente të tjerë ndërkombëtarë u japin grave dhe burrave, vajzave dhe djemve të drejta të njëjta dhe përgjegjësi të barabarta, pavarësisht nga rolet ose marrëdhëniet që ata mund të kenë. Kur dhunimet e grave nuk konsiderohen si abuzime të të drejtave njerëzore, gratë dobësohen si qenie njerëzore dhe shkelet personaliteti i tyre.
  4. Pandashmërinë: Të drejtat e njeriut janë të pandashme, gjë që do të thotë se të drejtat politike, sociale, ekonomike, kulturore dhe kolektive të grave duhet të adresohen bashkërisht, pa lejuar “vënie prioritetesh” ose ndarje në grupe të drejtash disa prej të cilave duhet të realizohen para të tjerave.
  5. Ndërveprimin: Çështjet e të drejtave të njeriut shfaqen në të gjitha sferat e jetës - shtëpi, shkollë, vendin i punës, zgjedhje, gjykatë etj.. Dhunimet e të drejtave të njeriut janë të lidhura; humbja e të drejtave në një aspekt mund të paracaktojë humbjen në të tjerat. Në të njëjtën kohë, promovimi i të drejtave të njeriut në një fushë të caktuar, mbështet të drejtat e tjera të tij.
  6. Përgjegjësinë e Qeverisë: Të drejtat e njeriut nuk janë dhurata që jepen sipas dëshirës së qeverive. Asnjë qeveri nuk duhet t’i mohojë ose zbatojë ato tek disa individë e jo tek të tjerët. Kur veprojnë kështu ato duhet të vihen para përgjegjësisë.
  7. Përgjegjësinë Personale: Qeveritë nuk janë të vetmit autorë të dhunimit të të drejtave të grave. Shoqëria dhe individët duhet të mbajnë gjithashtu përgjegjësi; zakonet kulturore dhe traditat sociale që nënshtrojnë gratë duhet të sfidohen.

Deklaratat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut të miratuara nga Kombet e Bashkuara që trajtojnë dhunën ndaj grave dhe u kërkojnë shteteve të ndërmarrin veprime, përfshijnë Konventën e Eliminimit të të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW, 1979), Deklaratën mbi Eleminimin e Dhunës ndaj Grave (DEVAW, 1993), Deklaratën e Pekinit dhe Platformën për Veprim (1995), Statutin e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve (Statuti i Romës, 1998), Deklaratën e Mijëvjeçarit (2000) dhe Këshillin i Sigurisë 1325 për Gratë, Paqja dhe Siguria (2000), si dhe të tjera.