Aktivitete në kuadër të fushatës së kordeleve të bardha
Në kuadrin e përpjekjeve për rritjen e ndërgjegjësimit dhe angazhimit të publikut në përgjithësi dhe të burrave dhe djemve në veçanti kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave, duke u përqendruar në pesë rrethet pilot ku po zbatohet projekti “Ta bëjmë realitet: Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri”, Rrjeti kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit zhvilloi një sërë veprimtarish duke filluar nga 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Grave.
Përveç daljeve në media nga përfaqësueset e Rrjetit, gjatë periudhës mars - maj 2009, përmes lehtësueseve lokale u organizuan 33 takime e seminare me komunitetin në Shkodër, Rrëshen, Berat, Pogradec dhe Vlorë, ku morën pjesë 795 vetë, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve studentë apo nxënës.
Në këto takime u shpërndanë, ndër të tjera, dhe kopje të broshurës: “Ne mund të bëjmë zgjedhje pa lënduar të tjerët” dedikuar djemve dhe burrave.
“Ta bëjmë realitet: Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri” është një projekt dyvjeçar i filluar në nëntor 2007 me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara në Përkrahje të Veprimtarive për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (UNTF), nën administrimin e UNIFEM-it, projekt i cili zbatohet nga Rrjeti kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit i themeluar në vitin 1998 dhe që përfshin Shoqatën Refleksione, Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare dhe Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Strehëzën për Gratë dhe Vajzat.
Arkiva: Të rejat |


