Për Ju


PËR NDIHMË KONTAKTO
(04) 22 33 408





Katër bashki miratojnë fonde të posaçme buxhetore për veprimtaritë kundër dhunës në familje për 2009-n

Bashkëpunimi i frytshëm të Rrjetit kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit në kuadrin e zbatimit të projektit “Ta bëjmë realitet: Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri” me bashkitë e pesë rretheve ku janë ngritur dhe veprojnë Këshillat kundër Dhunës në Familje, shënoi një sukses të rëndësishëm me miratimin për herë të parë nga katër prej tyre të fondeve të posaçme për veprimtaritë kundër dhunës në familje në buxhetin për vitin 2009.

Kështu, Bashkia Pogradec përcaktoi një linjë të re buxheti prej 200 000 lekë dhe ka emëruar një specialist për çështjet e barazisë gjinore dhe dhunës në familje. Specialistë për këto çështje janë caktuar dhe në Bashkitë Shkodër dhe Berat. Bashkia Shkodër ka akorduar një fond prej 480 800 lekësh, kurse ajo në Berat, një fond prej 700 000 lekësh i cili do të përdoret për funksionimin e linjës telefonike, sipas kërkesave të Ligjit kundër Dhunës në Familje. Gjithashtu ky fond do të shërbejë dhe për të mbështetur punën e OJQ-ve lokale të specializuar në dhënien e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje, drejtim në të cilin është angazhuar dhe Bashkia Vlorë me një mbështetje që llogaritet në vlerën 680 000 lekë.

“Ta bëjmë realitet: Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri” është një projekt dyvjeçar i filluar në nëntor 2007 me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara në Përkrahje të Veprimtarive për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (UNTF), nën administrimin e UNIFEM-it, projekt i cili zbatohet nga Rrjeti kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit i themeluar në vitin 1998 dhe që përfshin Shoqatën Refleksione, Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare dhe Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Strehëzën për Gratë dhe Vajzat.

Arkiva: Të rejat |

Komenti