Rritja e kapaciteteve të punonjësve lokalë dhe njohurive në komunitet lidhur me zbatimin e ligjit kundër dhunës në familje
Pas kryerjes së një studimi të detajuar të nevojave për trajnim, në muajt korrik dhe shtator 2008, Rrjeti kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit organizoi në pesë rrethet pilot ku zhvillohet projekti: Shkodër, Rrëshen, Berat, Pogradec dhe Vlorë, 15 trajnime dy ditore me temë: “Zbërthimi i ligjit ‘Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare’ - detyrat, përgjegjësitë dhe bashkëpunimi mes profesionistëve”. Në to morën pjesë 312 pjesëmarrës nga pothuaj 125 institucione publike në nivel lokal,
Qëllimi kryesor i këtyre trajnime ishte rritja e njohurive dhe kapaciteteve të zyrtarëve lokalë në drejtim të trajtimit të rasteve të dhunës në familje, duke synuar që të krijoheshin mundësitë për transferim të këtij informacioni dhe shprehive të fituara nga ta te kolegët e tyre ekzistues apo te ata që priten të emërohen në përmbushje të përgjegjësive të përcaktuar në ligjin kundër dhunës në familje.
Trajnimet u organizuan në tre module të fokusuara mbi:
a) punonjësit e administratës publike në bashki dhe komuna, nga zyra e punës dhe media;
b) b) punonjësit e shëndetësisë, arsimit dhe aktivistë të OJF-ve; dhe
c) punonjësit e policisë, të prokurorisë, të përmbarimit dhe avokatët.
Modulet përfshinin një informacion të detajuar mbi ligjin duke u fokusuar veçanërisht në angazhimet e secilit prej autoriteteve përgjegjëse të përcaktuara në të, si dhe në procesin dhe procedurat për urdhrat mbrojtëse për viktimat e dhunës në familje.
Po në muajt korrik dhe shtator, mbi ligjin kundër dhunës në familje, Rrjeti organizoi dhe 15 seminare informuese një-ditore për komunitetin, tre në secilin rreth pilot, me temë: “Sa dhe si mund të mbrohemi, kë dhe si mund të ndihmojmë?”. Në këto seminare u përfshinë 395 pjesëmarrës, pjesa më e madhe gra e vajza.
“Ta bëjmë realitet: Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri” është një projekt dyvjeçar i filluar në nëntor 2007 me mbështetjen e Fondit të Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara në Përkrahje të Veprimtarive për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (UNTF), nën administrimin e UNIFEM-it, projekt i cili zbatohet nga Rrjeti kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit i themeluar në vitin 1998 dhe që përfshin Shoqatën Refleksione, Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare dhe Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim dhe Strehëzën për Gratë dhe Vajzat.
Arkiva: Të rejat |


