Mbledhja e parë e këshillit kundër dhunës në familje - Rrëshen
Në 2 maj 2008, në Rrëshen, u mbajt mbledhja e parë e Këshillit Kundër Dhunës në Familje (KDHF) nën iniciativën e Rrjetit kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit.
Në takim morën pjesë 27 përfaqësues nga 24 institucione, duke përfshirë Kryetarin e Bashkisë, zotin Gjon Dedaj, kryetarët e komunave Ndërfushaz, Tarazh dhe Malaj (Tenë), Shefin e Komisariatit të Policisë Mirditë, përfaqësues nga organizata të grave, duke përfshirë dhe të forumeve të grave të dy partive më të mëdha në vend, përfaqësues nga zyra arsimore, e punësimit, shëndetësia, përmbarimi, etj..
Kryetari i bashkisë dhe kryetarët e komunave të rrethit shprehën mbështetje të plotë për realizimin e projektit “Ta bëjmë realitet: Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri”. Ky ishte dhe qëndrimi i të gjithë folësve të cilët u angazhuan në një diskutim të gjerë mbi sfidat me të cilat përballet lufta kundër dhunës në familje në zonën e Rrëshenit, si p.sh. mungesa e gjykatës së rrethit, ashtu si dhe mbi mundësitë për të punuar më shumë në mënyrë konkrete si në drejtim të mbështetjes së viktimave ashtu dhe për parandalimin e rasteve të dhunës në familje.
Duke folur për ecurinë e bashkëpunimit me Rrjetin në kuadër të projektit, pjesëmarrësit parashtruan gjitashtu kërkesën për trajnime dhe sa më shumë shpërndarje informacioni.
Dava Gjoka
Lehtësuese lokale, Rrëshen
Krijimi i Këshillave kundër Dhunës në Familje është një nga iniciativat e projektit dyvjeçar të Rrjetit kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit me titull: “Ta bëjmë realitet: Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri”, të mbështetur nga Fondi i Mirëbesimit i Kombeve të Bashkuara në Përkrahje të Veprimtarive për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (UNTF), nën drejtimin e UNIFEM-it. Rrjeti i themeluar në vitin 1998, përfshin Shoqatën Refleksione, Strehëzën, Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare dhe Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim.
Arkiva: Të rejat |


