Dhjetë vjetori i shpalljes së 25 Nëntorit si Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave
Në mesazhin e Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki-moon, me rastin e 25 Nëntorit 2009, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila këtë vit shënon dhjetëvjetorin e shpalljes zyrtare të saj nga OKB-ja, ndër të tjera, thuhet se: “Synimi ynë është i qartë: t’i japim fund këtyre krimeve të pashfajsueshme - qofshin këto përdorimi i përdhunimit si mjet lufte, dhuna në familje, trafikimi, të ashtuquajturat krime “për të ruajtur nderin”, apo mutilimi/prerja e organeve gjenitale femërore. Ne duhet të zhdukim diskriminimin ndaj grave dhe të ndryshojmë mentalitetin që e mban atë të gjallë, duke e trajtuar fenomenin e dhunës nga rrënjët.” Ai i referohet fushatës së ndërmarrë vitin e kaluar: “UNiTE to End Violence against Women” (Së Bashku për t’i dhënë fund Dhunës ndaj Grave), një angazhim gjithëpërfshirës që i drejtohet qeverive, shoqërisë civile, organizatave të grave, burrave, të rinjve, sektorit privat, medias dhe të gjithë sistemit të OKB-së që të bashkojnë forcat në luftë kundër kësaj plage mbarëbotërore. Siç vihet në dukje dhe në deklaratën e Drejtores së UNIFEM-it, Inés Alberdi, mbi 25 Nëntorin, është tronditës fakti që në bazë të të dhënave, gati 70 për qind e grave në botë vuajnë dhunë fizike apo seksuale gjatë jetës së tyre. “Nuk ka vend për spektatorë në përpjekjet për përparimin e të drejtave të grave”, shprehet ajo. Nën këtë dritë, si mendoni ju, sa ka ndryshuar qasja ndaj çështjes së dhunës ndaj grave dhe vajzave në Shqipëri?
Arkiva: Diskutimet |


