“Ta bëjmë realitet”
Konferenca Kombëtare, 8 dhjetor 2009
Baza e të dhënave
Pëshkrimi i projektit
Në nëntor 2007, Fondi i Mirëbesimit të Kombeve të Bashkuara në Përkrahje të Veprimtarive për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (UNTF), i themeluar në vitin 1996 dhe që administrohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Gratë (UNIFEM), zgjodhi si përfitues granti ndër 36 kandidatë nga vendet e Ballkanit, për herë të parë, një propozim nga Shqipëria. Projekti fitues: ‘Ta bëjmë realitet: ‘Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri’ u paraqit nga Shoqata Refleksione në emër të Rrjetit kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit.
Ky projekti dyvjeçar synon të mbështesë zbatimin e efektshëm të Ligjit kundër Dhunës në Familje në fuqi prej 1 qershorit 2007, si dhe të Strategjisë Kombëtare dhe të Planit përkatës të Veprimit, për të luftuar dhunën kundër grave. Iniciativa qendrore e projektit është pilotimi në pesë rrethe: Berat, Pogradec, Rrëshen, Shkodër dhe Vlorë, i ndërtimit dhe funksionimit të një sistemi ndërsektorial dhe të qëndrueshëm referimi në nivel lokal për gratë dhe vajzat, viktima të dhunës në familje.
Nga pikëpamja institucionale, puna e këtyre sistemeve të referimit mbështetet nga organizimi në pesë rrethet pilot i Këshillave kundër Dhunës në Familje. Këto këshilla shërbejnë si shembull se si përfaqësues nga të gjithë aktorët lokalë, duke përfshirë të gjitha autoritetet me detyra të përcaktuara në ligj, ashtu si dhe organizatat joqeveritare e të komunitetit, figurat kyçe lokale, media dhe mësuesit, të ndërgjegjësuar mbi atë çfarë kërkon dhe bën të mundur ligji, mund të bashkëpunojnë për të parandaluar dhe luftuar dhunën ndaj grave dhe vajzave, duke marrë parasysh përqasjet dhe opinionet e tyre dhe në veçanti të viktimave të dhunës.
Puna në Këshillat kundër Dhunës në Familje orienton gjithashtu përpjekjet për të kontribuar në plotësimin e mangësive në mbledhjen dhe raportimin e të dhënave për rastet e dhunës në familje, përmes një fushate monitorimi të ndërtuar me kujdes.
Rezultatet e përgjithshme të punës shërbejnë si bazë argumentuese për veprimtaritë avokuese të projektit. Këto veprime, të bashkërenduara me iniciativat e tjera kundër dhunës në familje në Shqipëri synojnë një ndërgjegjësim më të lartë për këtë plagë shoqërore, vëmendje më të madhe, angazhim më të gjerë të grupeve shoqërore dhe zbatimin me përparësi të rekomandimeve për strategji dhe plane veprimi të efektshme dhe të qëndrueshme.
Projekti ‘Ta bëjmë realitet: Zbatimi i ligjit kundër dhunës në familje në Shqipëri‘ vijon një angazhim mbi 15 vjeçar me fokus luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave të udhëhequr nga shoqatat joqeveritare, ku spikatin dhe anëtaret e Rrjetit kundër Dhunës Gjinore dhe Trafikimit, të cilat do ta zbatojnë atë në partneritet dhe me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve (CRCA).
Rrjeti i themeluar në vitin 1998, përfshin përveç Shoqatës Refleksione, Strehëzën, Qendrën e Këshillimit për Gra dhe Vajza, Qendrën për Nisma Ligjore Qytetare dhe Qendrën Aleanca Gjinore për Zhvillim.


